Krimi kibernetik godet rreth një milion e gjysmë njerëz çdo ditë.
Krimi kibernetik vlerësohet të godasë rreth një milion e gjysmë njerëz çdo ditë. Pra, në mbarë botën, ka rreth 18 viktima çdo sekondë. Ekspertët thonë se njerëzit që kryejnë këto krime janë duke u bërë gjithnjë e më të sofistikuar. Por nuk është e thënë që dhe ju të bëheni pjesë e këtyre statistikave. Materiali në vazhdim na njeh me disa mënyra me anë të të cilave bizneset dhe individët mund të minimizojnë rreziqet.
Mbrojtja e organizatave dhe e individëve nga vjedhjet e të dhënave është një industri miliarda dollarëshe.
Dhe me të drejtë. Alan Edwards, president i kompanisë Whitehorse Technology Solutions thotë se kushdo me qasje në internet duhet të shqetësohet – sepse krimi kibernetik nuk është më i kufizuar tek shtëpia, zyra apo banka juaj.
“Ju përdorni iPad-in tuaj, që mbani me vete, keni iPhone-in tuaj, telefonat Android, apo tabletat, e kompjuterat portativë. Pra shumë informacion del jashtë derës së zyrës.”
Për autorët e krimeve kibernetike, e gjitha ato sasi të dhënash në pajisjet e lëvizshme përbën mundësi.
Profesori i kriminologjisë David Maimon thotë se një nga mënyrat për të pakësuar rreziqet tuaja është që të jeni shumë të kujdesshëm me gjërat që publikoni në rrjetet sociale.
“Mendoj se kur të gjithë njoftohen në lidhje me veprimet tuaja 24 orë në ditë është problematike, sepse nëse dikush dëshiron t’ju përndjekë, e vetmja gjë që duhet të bëjë është të shohë faqen tuaj të Facebook-ut.”
Disa prej këshillave që duhen ndjekur janë të thjeshta si:
* Nëse nuk doni që shtëpia juaj të vidhet, mos dërgoni mesazhe në Twitter kur shkoni me pushime.
* Nëse përdorni telefonin për veprime bankare, mos ruani në të numrat e llogarisë dhe fjalëkalimet përkatëse.
* Mos hapni emailet ose dokumentet e bashkëngjitura nga njerëz që nuk njihni.
Dhe nëse dikush ju ofron diçka falas, Alan Edwards thotë se duhet të jeni të kujdesshëm.
“Gjëja e parë që duhet menduar është një llogari e thjeshtë: Po më jepet diçka falas… por pse?”
Por këshillat nuk mund të zëvendësojnë masat e nevojshme për sigurinë kompjuterike, prandaj:
* Aktivizoni firewall-in e kompjuterit tuaj.
* Instaloni programe të besueshme anti-virus dhe sisteme të tjera sigurie.
* Përdorni fjalëkalime të forta, çka do të thotë se duhet të shmangni përdorimin e emrit, ditëlindjes ose informacioneve tuaja personale.
Kompania Whitehorse Technology rekomandon të zgjidhni një frazë që njihni dhe të përdorni shkronjat e para të çdo fjale të frazës për të krijuar fjalëkalimin tuaj. Për ta përforcuar, shtoni një element të veçantë nga tastiera, një numër ose të dyja.
Por edhe masat e forta të sigurisë mund të mos mjaftojnë, thotë studenti i kriminalistikës Ted Wilson.
“Çdo gjë mund të shfrytëzohet, dhe ka të bëjë vetëm me faktin nëse autori i sulmit kibernetik dëshiron ose jo të harxhojë kohën që duhet për të kapërcyer çfarëdo lloji masash sigurie që ndërmerren.”
Mjafton të kujtohet një shembull i kohëve të fundit që përfshin veprimtaritë sekrete të qeverisë së Iranit. Eksperti i sigurisë Alan Edwards thotë se disa persona arritën të depërtojnë në programin bërthamor sekret të kësaj qeverie duke përdorur marifetin e vjetër me flash-in USB.
“Është shumë, shumë e thjeshtë. Në qoftë se unë vendos një flash drive në një vend parkimi, shanset janë që dikush do ta marrë dhe gjëja e parë që do të bëjë është të shohë se çfarë përmban. Pra, ata e marrin me vete në zyrë dhe e lidhin me kompjuterin e tyre. Në këtë mënyrë anashkalohen të gjitha firewall-ët e jashtëm.”
Ka shumë mënyra për të vjedhur informacionin kompjuterik. Por nëse nuk jeni një objektiv me vlerë të madhe -si bankë, agjenci qeveritare ose biznes – çdo masë sigurie paraprake që ndërmerrni shton një shtresë të re mbrojtjeje. Ekspertët thonë se një pengesë shtesë mund të jetë gjithçka që nevojitet për të bërë që një sulmues në internet të vendosë të zhvendoset mbi një objektiv tjetër.
Zeri Amerikes
Per”Alba – Dansk” shkodrani
Leave a Reply